Itali/Aksidentohet 22-vjeçari shqiptar me kamion, bie nga 20 metra lartësi dhe humbet jetën Një 22-vjeçar humbi jetën mëngjesin e së dielës në komunën e Cagli, në Pesaro të Italisë. Bëhët me dije se shtetasi Petrit Jashari, kamionist, është me origjinë shqiptare, por i lindur në Castiglione del Lago të Perugia-s. Ai po drejtonte kamionin frigoriferik, kur rreth orës 08:00 të mëngjesit, humbi kontrollin e mjetit duke u përplasur me barrierat anësore në rrugë. Përplasja ishte aq e fortë sa dera e shoferit u hap dhe i riu përfundoi jashtë, duke rënë nga 20 metra lartësi. 22-vjeçari humbi jetën në vend. Kamioni më pas përfundoi në anën tjetër të rrugës dhe duke u përplasur me një automjet që vinte përballë. Ishte pikërisht shoferi i këtij mjeti që pa të gjithë ngjarjen. Disa metra përpara ishte një tjetër koleg i 22-vjeçarit që drejtonte një tjetër kamion. Siç shkruajnë mediat italiane, të dy po ktheheshin në Magione, pasi kishin shkarkuar produkte ushqimore në Cagli. Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, i riu dyshohet se nuk kishte vendosur rripin e sigurimit, pasi nëse do ta kishte pasur nuk do kishte përfunduar jashtë mjetit. Megjithatë autoritetet nuk përjashtojnë as mundësinë që i riu shqiptar, duke parë që rrezikonte të binte bashkë me mjetin nga lartësia të ketë hequr në moment të fundit rripin e sigurimit dhe të ketë hapur derën në tentativë për të shpëtuar