Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dalë në një konferencë për mediat ku është ndalur te audiopërgjimi i publikuar së fundmi për 21 Janarin. Manja është shprehur se kjo provë e re tregon se katër vrasjet janë një krim shtetëror. Ndër të tjera Manja i bëri thirrje SPAK ta marrë çështjen në dorë, ta hetojë dhe kushdo i përfshirë pavarësisht pozicionit që ka sot të hetohet. “Është ora që Prokuroria e Posaçme të bëjë drejtësi për 21 Janarin. 21 Janari nuk është hetuar asnjë ditë. Fakti i bërë publik para pak ditësh tregon qartë se ka pasur një zinxhir komandues dhe urdhërues për të qëlluar mbi protestuesit në datën 21 janar të vitit 2011. I takon prokurorisë që të marrë këtë provë të re dhe të nisë hetimet një orë e më parë për vrasjen shtetërore. Familjarët e viktimave në radhë të parë, por dhe qytetarëve, ku 4 qytetarë të pafajshëm u qëlluan nga dritaret dhe tarraca e Kryeministrisë. Ish-kryeministri Berisha për 12 vite me radhë ka deklaruar se protestuesit në bulevard i vrau Garda e Republikës, që mbrojti kryeministrinë nga 4 qytetarë me duar në xhepa, që sipas atij kishin ardhur ta rrëzonin nga pushteti. Presim nga SPAK që të thërrasë të gjithë personat që kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje, që nuk janë thirrur asnjë ditë nga organi i akuzës dhe të zbardhë të vërtetën. 21 janari nuk ishte krim i rëndomtë, ishin vrasje të pastra shtetërore.”, tha Manja. Më tej Manja tha: Ne jemi në anën e drejtësisë, e kemi inkurajuar të hetojë për këdo. Nëse sot ka zyrtarë të dënuar për vepra nga më të lehtat, pse hezitohet të çohet deri në fund një ngjarje e tillë kaq e madhe. Sot do ta dorëzojmë kallëzimin në SPAK pastaj administrimi i kasetës si provë i takon Prokurorisë.