Deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku i ka dërguar një shkresë Kuvendit të Shqipërisë ku kërkon dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Ai u shpreh se ka kërkuar të dhënat jo vetëm për deputetët e këtij legjislacioni por për të gjithë ata nga viti 1991 dhe deri më sot. “Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit. Të deklasifikohen të gjithë dokumentet e ish sigurimit të shtetit. Duke zbatuar këto disopozita të ligjit, i kërkoj nga ana e autoritetit të dosjeve vënien në dispozicion të kopjes së dokumenteve që deputeteve të Shqipërisë nga viti 1991 deri në 2023. Sot kam depozituar këtë kërkesë bashkë me listën e plotë të deputetëve të Shqipërisë dhe jam në pritje të zbatimit të detyrimit ligjor. Për të parë nëse këtë kohë ka pasur në Kuvend bashkëpunëtorë të ish sigurimit të shtetit”, deklaroi ai. Letra e plote Me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 72/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i ndryshuar”. Në përmbajtje të këtij ligji, është parashikuar që në nenin 20, pas pikës 1, të shohet pika 1.1 me përmbajtje si më poshtë: 1.1 Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi është i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorim të informacionit të marrë. Ndërsa, në nenin 44, është parashikuar shtimi i pikave 4 dhe 5 me përmbajtje si më poshtë: 4. Të deklasifikohen të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të parashikuara në këtë ligj për periudhën 29 nëntor 1944 deri ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë. 5. Autoriteti përgjegjës për grumbullimin dhe administrimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, kur gjatë punës ndeshet me dokumente që përmbajnë informacione që lidhen me cënimin e sigurisë kombëtare, i klasifikon ato sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar. Pikërisht, në zbatim të dispozitave të sipërcituara, si dhe në mbështetje të neneve 8 dhe 10 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, kërkoj nga ana juaj vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumenteve dhe informacioneve që dispononi lidhur me të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që kanë qenë të zgjedhur në legjislaturat parlamentare për periudhën 1991 – 2023. Sjell në vëmendjen tuaj, se neni 8, paragrafi i dytë i ligjit nr. 8550/1999, përcakton një afat 15-ditor për kthimin e përgjigjes, megjithatë duke pasur parasysh volumin e informacionit të kërkuar, mirëkuptoj kohën e nevojshme shtesë që mund t’iu duhet për përgatitjen e përgjigjes.