Image result for Falja e kurban bajramit elbasan

Festa e Kurban Bajramit ka patur gjithnjë përmasat e një feste mbarë popullore në trevat shqiptare dhe në Ballkanin e banuar nga muslimanët në përgjithësi. Besimtarët shqiptarë, që në ditët osmane e deri më sot, në këtë ditë feste të madhe, gëzimin e tyre e ndajnë edhe me fqinjët e tyre jo-muslimanë. Festa e Kurban Bajramit në viset tona shoqërohet me ngjyra mikse hareje dhe gëzimi.

Duke qënë se besimtarët shqiptarë kanë qënë dhe janë ndjekës të traditave islame osmane, Bajrami në ditët Osmane në trevat tona në Ballkan ka qënë zakon të falet nëpër sheshe masive ku të udhëhequr nga kazaskerët, myftilerët, dhe në raste të veçanta edhe nga të dërguarit e shejhulislamit të Stambollit, besimtarët shqiptarë dergjeshin nga të gjithë rrethinat dhe kryenin në një varg prej disa mijëra vetësh lutjen ndaj Krijuesit të tyre të madhërueshëm. Edhe pse Shqipëria ka qënë një province kufitare e Perandorisë Islame në Ballkan, në kufijtë e Kristendomit Perëndimor, dhe padyshim që Ceremonia e Bajramit në trevat tona nuk mund të gëzonte lluksin dhe bëshmërinë e kryeqendrës së Perandorisë, Stambollit, në Shqipëri festa ndjehej gjithashtu shumë. Nëpër qytetet Janinë, Vlorë, Ohër, Shkup dhe Prishtinë shqiptarët me cullat dhe xhamadanët e tyre karakteristikë mbushnin sheshet e namazgjasë ku nën udhëheqjen e myftiut të kazasë, besimtarët kryenin lutjen e Bajramit, luteshin për kalifin e tyre në Stamboll dhe më pas dergjeshin nëpër pazaret dhe çarshitë e qyteteve për të blerë gjënë e gjallë që do të sakrifikonin. Më pas nëpër tryezat shqiptarë shtroheshin ashtu si edhe sot, drekë me gatime të këndshme alla-turka ku shqiptarët nuk harronin të servirnin bakllavanë dhe gjellët e tjera të importuara nga orienti.

Namazgjahu i Tiranës dhe i Elbasanit

Në kohët osmane, agallarët dhe pashallarët shqiptarë paten krijuar edhe dy sheshe për lutje masive me rastet e Bajrameve siç ishin namazgjahu i Tiranës dhe ai i Elbasanit. Megjithatë në vitet e fundit të post-demokracisë në Shqipëri, rasti i faljeve nëpër namazgjahe nuk ka qënë i lehtë për t’u ndjekur nga muslimanët pasi pushtetarët tanë, shpesh ju kanë marrë apo edhe nuk ju kanë kthyer namazgjatë të parëve. Megjithatë rastin e viteve të fundit kur besimtarët e Tiranës, për të cilët xhamitë kanë provuar të pamjaftueshme, dhe janë falur në Sheshin kryesor të qytetit, ka provuar të jetë njëfarë ringjallje për traditën ë lutjes në sheshin e Namazgjahut dhe ka treguar edhe njëherë madhështinë publike që festa e Kurban Bajramit sjell me vete. Në sheshin Skënderbej të Tiranës, në ditët e Bajrameve, poshtë statujës së heshtur të Beut Skënder rreshtohen disa mijëra qytetarë të Tiranës, vendali dhe të ardhur, të cilët duke u kthyer nga Meka e Shenjtë i shprehin besnikërinë e tyre, Kreatorit të tyre Madhështor dhe në të njëjtën kohë i tregojnë të gjithë anti-muslimanëve të botës shqiptare se shumica e heshtur e tyre, i qëndron besnike fesë së të parëve të tanë musliman.

Duke qenë ndjekës të vendosur të traditës së profetit Ibrahim a.s. muslimanët shqiptarë, në ditën e Kurban Bajramit kryejnë sakrifica të shumta në kafshë. Kafshët që ofrohen për këtë sakrificë janë shtëpiake si dele, dhi, deve dhe lopë nga të cilat pjesa kryesore kërkohet ti jepet të varfërve.

Në ditën e Kurban Bajramit besimtarët shqiptarë kanë patur për traditë të vizitojnë njëri tjetrin dhe të urojnë një Bajram të mbarë. Agallarët dhe pashallarët tanë në ditët e Bajramit hapnin konakët e tyre të cilët mbusheshin me hallexhinjë e miq të cilët ndanin gëzimin me parinë e tyre, ndërsa në kohën e mbretërisë, në ditët e Bajramit familja e Mbretit Ahmet Zogut I dhuronte ushqim për të varfërit. Komunizmi e ndrydhi këtë fe, duke mos i lejuar shqiptarët të festonin, por asnjë besimatrë nuk u dorëzua për ta festuar fshehurazi këtë festë dhe për të falur namazin, edhe pse jo në sheshe masive.