Kreu i diplomacisë greke arriti në Shkup

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias mbërriti sot për vizitë zyrtare në Maqedoni, të cilën e nisi me një takim me homologun e tij maqedonas Nikola Dimitrov.

Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, delegacionet e të dy ministrive do të zhvillojë bisedime plenare dhe pas takimeve, ministirat Dimitrov dhe Kocias do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Është paraparë që ministri i Jashtëm grek të takohet edhe me presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti si dhe me përfaqësues të partive parlamentare.

Vizita e Kocias në Shkup realizohet pas asaj të Dimitrovit në Athinë në qershor të këtij viti. Fokusi i bisedimeve, sipas njoftimeve që vijnë, do të jetë zbatimi dhe zgjerimi i masave për ndërtimin e besimit të ndërsjellë përfshirë edhe zhvillimet më të fundit në rajon.

Të martën, ministri Dimitrov duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarit në lidhje me pritjet nga vizita e ministrit të Jashtëm grek Kocias, tha se është e rëndësishme krijimi i marrëdhënieve të hapura, duke nënvizuar se “Greqia do të duhet të njeh momentin e ri në Maqedoni dhe ta mbështesë të njëjtin”.

Njoftimet që vijnë nga të dyja palët thonë se në takimet e sotme nuk do të bëhet fjalë për çështjen e emrit.

Në prag të takimit të Kociasit me homologun e tij Dimitrov, përpara ndërtesës së Ministrisë së Jashtme, protestoi një grup i vogël njerëzish të organizuar nga “Manifesti Maqedonas” dhe Kongresi Botëror i Maqedonisë, që kërkojnë një fund të pakushtëzuar për bisedimet mbi emrin e shtetit, vazhdimin e anëtarësimit në OKB me emrin kushtetues të Maqedonisë.